Diplomati, oligarku dhe agjenti i FBI: Amerikano-rusi del para gjyqit për sanksionet ndaj Deripaskës

7 min lexim
Politikë
Diplomati, oligarku dhe agjenti i FBI: Amerikano-rusi del para gjyqit për sanksionet ndaj Deripaskës

Kur një prej agjentëve më të lartë të Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) u arrestua në janar të vitit 2023 dhe u akuzua se kishte punuar jashtëligjshëm për oligarkun e sanksionuar rus - Oleg Deripaska - komuniteti amerikan i sigurisë kombëtare mbeti i tronditur.

Charles McGonigal, tashmë në pension - i cili në pjesën e fundit të karrierës së tij hetonte spiunët dhe oligarkët rusë - më në fund pranoi fajësinë dhe në dhjetor u dënua me mbi katër vjet burg.

Ai nuk ishte i vetmi i përfshirë në çështjen Deripaska, sipas autoriteteve amerikane.

Pas më shumë se 16 muajsh shtyrjesh e vonesash, Sergei Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus që u bë qytetar i natyralizuar amerikan dhe më vonë punoi si përkthyes i autorizuar në gjykatat federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet të dalë para gjyqit më 17 qershor, i ngarkuar me akuza të ngjashme me ato me të cilat u përball McGonigal.

Ashtu si McGonigal, edhe Shestakov akuzohet se ka bashkëpunuar për t’i ndihmuar Deripaskës t’i shmangë sanksionet amerikane, të cilat ishin vendosur në vitin 2018, si dhe për komplot për shpëlarje parash. Ai gjithashtu akuzohet se ka gënjyer agjentët e FBI-së.

Shestakov u arrestua në të njëjtën kohë me McGonigalin.

Gjyqi dhe procesi paraprak gjyqësor nuk kanë marrë shumë vëmendje, kryesisht sepse Shestakov është më pak i njohur se McGonigal. Deri në pensionimin e tij në vitin 2018 nga zyra e FBI-së në Nju Jork, McGonigal ishte në pararojë të përpjekjeve të byrosë për t’i gjurmuar spiunët dhe oligarkët rusë – përfshirë edhe Deripaskën.

Në vitet ‘90, Vladimir Gusinsky ishte një nga oligarkët më me ndikim të Rusisë, kryesisht falë NTV-së – kanali i parë kombëtar i pavarur televiziv në Rusi.

Përveçse bashkëpunëtorë biznesi, Shestakov dhe McGonigal, së bashku me një rus tjetër, janë të lidhur me një tjetër ish-oligark rus, Vladimir Gusinsky, i cili për shumë vite kaloi pjesën më të madhe të kohës në një rezidencë luksoze në Kënektikët të SHBA-së.

Gusinsky nuk është përfshirë në çështjen penale ndaj Shestakovit dhe McGonigalit. Megjithatë, ai ka tërhequr vëmendjen e FBI-së, pasi agjentët e morën në pyetje dy herë gruan e tij tashmë të ndarë dhe punonjës të shtëpisë së tyre në Kënektikët për marrëdhënien e tij me ta. Shestakov e njoftoi Gusinskyn me McGonigalin dhe më pas Gusinesky u shoqërua me të dy.

Shestakov është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Magnatët e metaleve

Sipas dokumenteve të shumta në një gjykatë federale në Menheten, mbrojtja e Shestakovit mbështetet pjesërisht në pyetjen nëse puna që ai dhe McGonigal bënë ishte për të mirën e Deripaskës ose për konglomeratin e tij gjigand, EN+ Group, që kontrollon një nga kompanitë më të mëdha të aluminit në botë – Rusal.

Thelbësor për këtë mbrojtje është një punonjës i EN+ me emrin Yevgeny Fokin, të cilin FBI e akuzon si agjent të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR).

Avokatja e Shestakovit, Rita Glavin, ka thënë në dokumente gjyqësore se Fokin mund të ofrojë prova që puna që Shestakov dhe McGonigal u punësuan të bënin ishte në emër të EN+ dhe përfshinte lobim për të ndihmuar kompanitë e Deripaskës – gjë që kryesisht lejohet sipas ligjeve në SHBA.

Glavin nuk ka komentuar për këtë.

“Pretendimi se ata po punonin për EN+ dhe jo për Deripaskën nuk ka kuptim. Në thelb, është një dallim pa ndryshim”, tha Casey Michel, autor i librit “Foreign Agents: Hoë American Lobbyists and Lawmakers Threaten Democracy Around the World”.

“Ata, sipas çdo indikacioni, po punonin për përfitimin e njërit prej oligarkëve më famëkeq që ka prodhuar ndonjëherë Rusia – një njeri që është pak më shumë se një përfaqësues i Kremlinit, duke përmbushur dëshirat e Moskës kudo dhe sido që të mundet”, shtoi ai.

Prokurorët kanë pohuar se Fokin ishte “bashkëkomplotues i paakuzuar” me Shestakovin dhe McGonigalin. FBI-ja e ka ndjekur, fotografuar dhe regjistruar fshehtazi që nga korriku 2019, sipas dokumenteve gjyqësore, dhe viza e tij për SHBA u anulua në vitin 2022 me kërkesë të FBI-së.

Prokurorët janë përplasur me avokaten Glavin mbi marrjen në pyetje të Fokin, i cili jeton në Rusi dhe punon si këshilltar i lartë i Deripaskës në EN+. Ai nuk pranoi të udhëtojë në SHBA për asnjë arsye, sipas dokumenteve të gjykatës, duke u frikësuar nga arrestimi.

Pas negociatave nëse Fokin do të merrej në pyetje në Turqi ose Dubai, palët ranë dakord që ai do të dëshmojë në gjyq përmes videolidhjes.

Fokin nuk iu përgjigj e-maileve të Radios Evropa e Lirë për koment.

Në disa qarqe rusishtfolëse në rajonin e Nju Jorkut, Shestakov njihej si një “sekser”, njeri që zgjidhte probleme, dhe njeri simpatik. Ai është qytetar i natyralizuar amerikan që më parë kishte punuar për ministritë e jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe më pas të Rusisë.

Shestakov u tërhoq nga shërbimi diplomatik dhe u vendos në zonën e Nju Jorkut në vitin 1993.

Në vitet 2010, ai punoi si përkthyes i autorizuar për gjykatat federale të SHBA-së dhe për zyrat e prokurorëve federalë në Menheten dhe Bruklin.

Marrëdhënia e tij me Fokin daton që nga vitet ‘80, dhe të dy kanë punuar për Gusinskyn. Madje, në vitin 2019, Shestakov kishte një kartë krediti në emrin e Gusinskyt që e përdorte për të blerë, ndër të tjera, bileta për ndeshje hokeji me mijëra dollarë.

Gusinsky nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Shestakov e njoftoi McGonigalin me Fokinin diku rreth vitit 2018, sipas aktakuzës.

Në prill të atij viti, Deripaska u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit “për veprimtari në emër të një zyrtari të lartë të Qeverisë së Federatës Ruse”.

EN+ dhe Rusal gjithashtu u përfshinë në sanksione në të njëjtën kohë.

Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, Deripaska e ndërtoi pasurinë e tij gjatë viteve kaotike ‘90, kur biznesmenët luftonin egërsisht dhe shpesh me dhunë për kontrollin e industrive të mëdha të vendit, si prodhimi i aluminit. Ai konsiderohet shembulli klasik i një oligarku: një biznesmen me pasuri të madhe dhe lidhje të ngushta me Kremlinin dhe presidentin Vladimir Putin.

Ai gjithashtu ka qenë në radarin e zyrtarëve ligjorë amerikanë prej dekadash, të paktën që nga viti 2006, kur iu mohua viza për të hyrë në SHBA. Këto vështirësi e shtynë atë të punësonte firma lobimi të lidhura me republikanët dhe, në fund të viteve 2010, ai investoi në projekte me Paul Manafort, operativin republikan që për një kohë të shkurtër drejtoi fushatën presidenciale të Donald Trumpit në 2016.

Në shtator 2022, Deripaska u padit për përpjekje për të shmangur sanksionet amerikane. Akuzat përfshijnë pretendime se ai organizoi që e dashura e tij shtatzënë të udhëtonte në SHBA për të lindur atje, në mënyrë që fëmija të merrte shtetësinë amerikane.

Sanksionet ndaj EN+ Group dhe Rusal u hoqën në vitin 2019 pasi Deripaska ra dakord të distancohej nga pronësia e kompanive. Ai vetë mbetet ende nën sanksione.

Autoritetet amerikane pretendojnë se Fokin punësoi McGonigalin dhe Shestakovin për të kërkuar informacion kompromentues mbi Vladimir Potanin, një tjetër oligark rus dhe magnat i metaleve, që është rival i Deripaskës.

McGonigal, i cili doli në pension nga FBI në fund të vitit 2018, gjithashtu kërkoi të siguronte një praktikë për vajzën e Fokin në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, një gjë që ngriti dyshime brenda departamentit. Ai më vonë u tha autoriteteve se po përpiqej ta kultivonte Fokin si një agjent të mundshëm të dyfishtë, sipas dokumenteve të gjykatës.

Në fund të nëntorit 2021, agjentët e FBI-së konfiskuan pajisjet elektronike të Shestakovit. Disa ditë më parë, ai ishte pyetur për marrëdhënien e tij me Fokin dhe u pyet nëse kishte ndonjëherë ndonjë bashkëpunim biznesi me të.

“Jo, asnjë biznes”, u përgjigj Shestakov, sipas dokumenteve gjyqësore.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull