Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk i ka përjashtuar planet për të vrarë liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke thënë se diçka e tillë “do t’i jepte fund konfliktit” mes dy armiqve të përbetuar.
Në një intervistë 20-minutëshe për rrjetin televiziv amerikan, ABC News, lideri izraelit ka insistuar që operacioni i shtetit të tij kundër Iranit është i justifikueshëm, dhe e ka krahasuar Khamenein me “Hitlerin modern”.
Mirëpo, kur është pyetur për raportimet se presidenti amerikan, Donald Trump e ka kundërshtuar planin e Izraelit për të vrarë liderin suprem, për shkak të shqetësimeve se do të përshkallëzonte konfliktin Iran-Izrael, Netanyahu ka thënë se mendon ndryshe.
“Nuk do ta përshkallëzojë konfliktin, do t’i japë fund konfliktit”, ka thënë ai.
“Lufta pa mbarim është ajo që e dëshiron Irani dhe ata janë duke na çuar në prag të luftës bërthamore”, ka deklaruar Netanyahu.
“Në fakt, ajo që po bën Izraeli është se po e parandalon këtë, po i jep fund agresionit dhe ne mund ta bëjmë këtë duke iu dalë ballë forcave të armikut”.
Netanyahu nuk ka dhënë informacione nëse Izraeli e ka në shënjestër ayatollahun, dhe vetëm ka thënë se po bëjnë “atë që duhet të bëhet”.
Kryeministri izraelit e ka përshkruar konfliktin e Izraelit me Iranin si “betejë të civilizimit kundër barbarizmit”.
Sipas tij, amerikanët duhet të jenë thellësisht të shqetësuar nga përpjekjet e Teheranit për të poseduar armë bërthamore, dhe nga kapacitetet në rritje me raketat balistike.
“Sot është Tel Avivi, nesër është Nju Jorku”, ka thënë Netanyahu përgjatë intervistës për ABC News.
Më vonë, ai ka thënë në një konferencë për media se Izraeli është duke ndryshuar “fytyrën e Lindjes së Mesme” me fushatën e tij kundër Iranit.
Ai ka thënë se Izraeli i ka përpara tri synime: eliminimin e programit bërthamor iranian, eliminimin e kapaciteteve për prodhim të raketave balistike dhe eliminimin e boshtit të terrorizmit, duke iu referuar grupeve militante të përkrahura nga iranianët në Lindje të Mesme.
Netanyahu ka pretenduar se perceptimi i iranianëve për qeverinë e tyre ka ndryshuar.
“Ata e kuptojnë se regjimi është më i dobët sesa që kanë menduar”.
Si pasojë e sulmeve izraelite, të nisura më 13 qershor, janë vrarë të paktën 224 persona në Iran, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe civilë, sipas autoriteteve iraniane.
Në anën tjetër, nga kundërsulmet iraniane në Izrael është raportuar për 24 persona të vrarë.