Omani thotë se rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore SHBA-Irani do të mbahet të dielën

2 min lexim
Politikë
Omani thotë se rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore SHBA-Irani do të mbahet të dielën

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do ta zhvillojnë këtë të diel në Oman rundin e gjashtë të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit – i cili po përparon me shpejtësi – tha të enjten ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi.

Njoftimi nga ministri al-Busaidi vjen në një kohë kur SHBA-ja po tërheq stafin që nuk konsiderohet thelbësor për operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe të afërmit e tyre, për shkak të mundësisë së trazirave në rajon.

Ndërkohë, janë bërë paralajmërime se anijet mund të jenë shënjestër e sulmeve në ujërat rajonale për shkak të tensioneve.

Al-Busaidi e bëri njoftimin në platformën sociale X.

"Kam kënaqësinë të njoftoj se rundi i gjashtë i bisedimeve Iran-SHBA do të mbahet në Muskat këtë të diel, më 15", shkroi ai.

Irani kishte paralajmëruar disa ditë më parë se të kishte bisedime, por Omani – i cili po shërben si ndërmjetës – nuk kishte konfirmuar deri tani.

SHBA-ja nuk ka komentuar ende.

Irani e ka hedhur poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë "të papranueshëm" dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e vet.

Teherani thotë se së shpejti do ta dorëzojë një kundërpropozim përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik dhe të baraspeshuar” dhe që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta marrin seriozisht.

Por, dështimi për të arritur një marrëveshje mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindje të Mesme, ku tensionet janë të larta tashmë për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Irani dhe SHBA-ja kanë zhvilluar më parë bisedime në Muskat dhe Romë.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull