SHBA-ja dëshiron që Irani të heqë dorë krejtësisht nga armët bërthamore

3 min lexim
Politikë
SHBA-ja dëshiron që Irani të heqë dorë krejtësisht nga armët bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se dëshiron një “përfundim të vërtetë” të problemit bërthamor me Iranin, duke theksuar se do që Irani “të heqë dorë krejtësisht” nga armët bërthamore.

Këto deklarata Trump i bëri për gazetarët në aeroplanin presidencial amerikan, gjatë kthimit në Uashington pas pjesëmarrjes në samitin e Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7), që u mbajt në Kanada.

“Të heqin dorë krejtësisht”, tha Trump për gazetarët më 17 qershor.

“Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, është kaq e thjesht”.

Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani po sulmojnë vazhdimisht njëri-tjetrin, pasi Izraeli nisi një fushatë ajrore që ka tha se ka për cak programin bërthamor të Teheranit dhe objektet ushtarake.

Trump tha se ai mund ta dërgojë emisarin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, apo nënpresidentin JD Vance, për t’u takuar me Iranin. Megjithatë, ai shtoi se “varet se çfarë do të ndodhë kur të kthehem”.

Kur u pyet nëse Izraeli duhet të ulë intensitetin e sulmeve ndaj Iranit, Trump tha se “këtë do ta kuptojmë brenda dy ditësh. Asnjëra palë deri më tani nuk e ka ulur intensitetin”.

Udhëheqësi amerikan tha po ashtu se nuk ka parë sinjale deri më tani se Koreja e Veriut apo Rusia janë përfshirë për të ndihmuar Iranin.

Sipas tij, Uashingtoni po punon që të ndihmojë amerikanët që po tentojnë të largohen nga rajoni për shkak të dhunës.

Që nga nisja e sulmeve reciproke të premten mes dy rivalëve në Lindjen e Mesme, zyrtarët në Iran kanë raportuar për më shumë se 220 të vrarë, shumica civilë, ndërkaq Izraeli ka thënë se i janë vrarë 24 civilë.

Izraeli, SHBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore për një kohë të gjatë i kanë bërë thirrje Iranit që të mos zhvillojë armë bërthamore.

Irani mohon se dëshiron të zhvillojë armë të tilla, por thotë se ka të drejtë të zhvillojë teknologji bërthamore për qëllime paqësore.

Uashingtoni tha se Trumpi ende synon që të arrijë një marrëveshje bërthamore me Iranin. Megjithatë, Trump tha se nuk po synon që të arrijë një armëpushim mes Iranit dhe Izraelit dhe nuk ka kontaktuar me Iranin për mbajtjen e bisedimeve bërthamore.

“Nëse duan të flasin me mua, e dinë se si të më kontaktojnë. Ata është dashur ta pranonin marrëveshjen që ishte në tavolinë. Do të kishte shpëtuar shumë jetë”, shkroi Trump në Truth Social,

SHBA-ja dhe Irani ishte paraparë të zhvillonin rundin e gjashtë të bisedimeve bërthamore fundjavën që shkoi. Por, takimi u anulua pas përshkallëzimit të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull