Pas bisedës telefonike më 14 qershor, që u përqendrua në shpërthimin e luftimeve në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në rrjetet sociale se presidenti rus, Vladimir Putin, “e ndien, sikurse unë, se kjo luftë mes Izraelit dhe Iranit duhet të ndalet”. Në postimin e tij lidhur me këtë bisedë telefonike, Trump shtoi se i tha Putinin që “edhe lufta e tij duhet të ndalet po ashtu”.
Të qëllimshme apo jo, deklaratat e fundit duket se i drejtohen hipokrizisë së Moskës: më shumë se tre vjet në luftën që ka vrarë mijëra civilë ukrainas, shumica nga ta të vrarë gjatë sulmeve të kryera natën në shtëpitë e tyre larg nga frontet e luftës, Ministria e Jashtme ruse dënoi ato që tha se ishin “sulme të paprovokuara ushtarake të kryera natën ndaj qyteteve paqësore”.
Armiqësitë mes Izraelit dhe Iranit ka pak të ngjarë të sjellin Moskën më afër përfundimit të pushtimit të saj të Ukrainës dhe janë disa mënyra se si kjo situatë mund t’i shkojë për shtati Rusisë.
Por, në fund ky zhvillim mund të mos prodhojë ndryshime drastike në luftë që duket se është e destinuar të zgjasë për muaj të tërë, në mos më gjatë.
Në këtë tekst mund të mësoni se si sulmet vdekjeprurëse në Lindjen e Mesme mund të ndikojnë në luftën në Ukrainë.
Dronët dhe shpërqendrimet
Ashtu si sulmi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023 dhe lufta në Gazë që pasoi, luftimet mes Izraelit dhe Iranit po e tërheqjen vëmendjen e Perëndimit nga pushtimi rus i Ukrainës dhe në një moment të rëndësishëm.
Kjo po ndodh në kohën kur Trump, SHBA-ja dhe pjesa tjetër e Perëndimit po e shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja dhe më të ashpra ndaj Moskës. Kievi dhe disa liderë evropianë thonë se Rusia nuk ka asnjë interes për të bërë paqe dhe se po përpiqet të zvarrisë procesin, duke synuar përmirësimin e pozitës së saj si në fushëbetejë, por edhe përtej saj.
Përderisa vendimet për sanksione dhe çështje të tjera të lidhura me luftën në Ukrainë mund të merren pas samitit treditor të udhëheqësve të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që përfundon më 17 qershor, konflikti Izrael-Iran mund t’i lërë ato në hije.
Situata në Lindjen e Mesme mund t’i bëjë konkurrencë luftës në Ukrainë kur bëhet fjalë për armët perëndimore, paratë dhe burimet e tjera.
Përpjekjet perëndimore për të dobësuar makinerinë e luftës së Moskës janë përqendruar kryesisht në kufizimin e të ardhurave të Rusisë nga nafta. Prandaj, nëse çmimet e naftës rriten ndjeshëm si rezultat i luftimeve mes Izraelit dhe Iranit, kjo do të ishte një goditje për Kievin dhe aleatët e tij.
Këta faktorë mund t’i rrisin sfidat për Ukrainën në fushëbetejë, ku forcat ruse kanë përparuar – megjithëse ngadalë dhe me humbje të mëdha të personelit ushtarak – ndërsa Kievi ka shënuar pak përparime të rëndësishme që nga viti 2023.
Kremlini mund të shpresojë që të përfitojë në disa drejtime nga dhuna në Lindjen e Mesme.
“Përveç Iranit, dëmin më të madh ushtarak dhe politik nga kjo situatë me gjasë do ta vuajë Ukraina”, tha Ruslan Pukhov, drejtor i Qendrës për Analiza të Strategjive dhe Teknologjisë, me bazë në Moskë.
“Një luftë e re në Lindjen e Mesme jo vetëm që do të shpërqendrojë vëmendjen e botës nga [pushtimi rus i Ukrainës], por gjithashtu me sa duket do të kontribuojë edhe në zhvendosjen përfundimtare të fokusit të SHBA-së drejt ofrimit të ndihmës ushtarake për Izraelin”, parashikoi Pukov për Rossiiskaya Gazeta – gazeta zyrtare e Qeverisë ruse.
Për më tepër, ai shkroi se sulmet izraelite ndaj Iranit do të “minojë vlefshmërinë e çdo kritike ndaj veprimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë” dhe se një rritje e çmimeve të naftës do të “shkatërrojnë shpresat e Ukrainës dhe aleatëve të Evropës Perëndimore për të ulur të ardhurat e Rusisë nga nafta”.
Në anën tjetër, furnizimet me armë që Rusia ka përdorur kundër Ukrainës – kryesisht dronët Shahed të Iranit – mund të preken më drejtpërdrejt.
Por, Rusia tani prodhon brenda vendit shumicën e dronëve të bazuar në modelin Shahed dhe “ka zhvilluar variante të reja nga dizajnët fillestare iraniane”, theksoi Hanna Notte, eksperte për Rusinë dhe Lindjen e Mesme.
“Mendoj se ndikimi për Rusinë dhe Ukrainën do të jetë i kufizuar”, shkroi ajo në X më 14 qershor.
“Sigurisht, me kënaqësi ata do të blejnë çfarë të munden nga Irani – edhe pse Irani tani do të ruajë prodhimet që t’i përdorë vet – por, atyre më nuk iu duhet Irani, siç u është dashur më herët”, tha analisti për Rusinë, Mark Galeotti, në podkastin e tij më 15 qershor.
Jashtë fushëbetejës
Më 15 qershor, teksa Irani dhe Izraeli vazhduan këmbimin e sulmeve vdekjeprurëse, Trump shkroi në Truth Social se “ne me lehtësi mund të arrijmë një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit për t’i dhënë fund këtij konflikti të përgjakshëm”.
Dëshira e tij që kjo gjë të ndodhë, të paktën tash për tash, mund të bëhet më prioritet sesa përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë në Ukrainë – e cila po vazhdon me intensitet disa muaj pasi Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, pavarësisht pretendimeve të tij se mund ta zgjidhte për një ose dy ditë.
Ai ka shprehur gjithnjë e më shumë zhgënjim ndaj Putinit për shkak të refuzimit të Rusisë për të lëvizur nga pozicionet e saj dhe për shkak të sulmeve vdekjeprurëse ndaj civilëve – por, deri më tani ka hezituar të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës.
Një afat jozyrtar dyjavor i vendosur nga Trumpi për të ardhur në përfundim nëse Putini po angazhohej në mirëbesim drejt arritjes së paqes “ose po e zvarrit procesin” ka skaduar ditë më parë – dhe tani dhuna në Lindjen e Mesme mund të ndryshojë situatën, veçmas nëse Trumpi i drejtohet Kremlinit për ndihmë në ndërmjetësimin e një armëpushimi Iran-Izrael apo për një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
A mund të jetë i dobishëm Putini?
Pas bisedës telefonike me Putinin, më 4 qershor, Trump shkroi se Putini “ndoshta mund të jetë i dobishëm” në përpjekjen e presidentit amerikan për të arritur një marrëveshje me Teheranin për frenimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Në njoftimin e tij për bisedën telefonike të 14 qershorit me Trumpin, Kremlini tha se Putini theksoi “gatishmërinë e palës ruse për një ndërmjetësim të mundshëm”.
Një ditë më vonë, Trump i tha ABC News se “do të ishte i hapur” që Putini të ishte ndërmjetësues.
Sigurisht, dëshira për prestigj diplomatik mund të funksionojë në të dyja drejtimet: përpjekja e Putinit për të pasur një rol të fuqishëm në Lindjen e Mesme mund ta shtyjë atë të jetë më konstruktiv edhe sa i përket Ukrainës.
Por, duket e pamundur që ai të bëjë lëshime të mëdha – dhe ai mund të llogarisë se çdo sukses në luajtjen e një roli kyç në menaxhimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit vetëm sa do ta forcojë pozitën e tij sa i përket Ukrainës.
Për Putinin, “Ukraina mbetet prioriteti”, shkroi Notte.