Arrestohet lideri i partisë kryesore opozitare në Republikën Sërpska

2 min lexim
Politikë

Millan Milliqeviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, u arrestua të hënën, konfirmuan nga kjo parti, që është më e madhja opozitare në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se oficerët e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, nën mbikëqyrjen e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit dhe disa departamenteve të tjera, kryen një aksion operativ të koduar “Blloku”.

Në njoftimin e MPB-së thuhet se personat me inicialet M.M., M.D. dhe M.J. - të gjithë nga qyteti Teslliq - u privuan nga liria, nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të ndikimit dhe pranimit të ryshfetit.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se oficerët e policisë kanë sekuestruar rreth 45.000 euro gjatë hetimeve në gjashtë muajt e fundit, me urdhër të gjykatës kompetente.

Këto para thuhet se buronin nga veprimet korruptive të personave të përmendur dhe se ato janë depozituar në depozitën e gjykatës.

Personat e privuar nga liria do t’i dorëzohen prokurorit kompetent të Prokurorisë së Republikës Sërpska brenda afatit ligjor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti.

Nga Partia Demokratike Serbe në Teslliq thanë se “kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull