Gjermania dënon një sirian me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit

3 min lexim
Politikë
Gjermania dënon një sirian me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit

Një gjykatë gjermane ka dënuar një mjek sirian me burgim të përjetshëm pasi e gjeti fajtor për krime kundër njerëzimit.

Alaa Mousa, 40 vjeç, u dënua për torturimin e të ndaluarve në spitalet ushtarake gjatë sundimit të Bashar al-Assadit.

Krimet e kryera nga Mousa gjatë luftës civile siriane ishin “pjesë e reagimit brutal të diktaturës së Assadit dhe regjimit të padrejtë”, tha gjykatësi i rastit në Gjykatën e Lartë rajonale në Frankfurt, Christoph Koller.

Mousa është akuzuar për torturimin e pacientëve në spitalet ushtarake në Damask dhe Homs. Ai është akuzuar për 18 raste të torturës ndërmjet viteve 2011 dhe 2012.

Në një rast, Mousa thuhet se ka djegur organet gjenitale të një adoleshenti dhe në një rast tjetër, ai i kishte injektuar një dozë vdekjeprurëse një të ndaluari që u kishte rezistuar rrahjeve.

Përveç krimeve kundër njerëzit, gjykata e gjeti fajtor të pandehurin edhe për vrasje, torturë dhe krime të luftës.

Mousa ka mohuar akuzat gjatë gjykimit, që u përmbyll disa muaj pasi Assadi u rrëzua nga pushteti në dhjetor të vitit 2024.

Mousa kishe shkuar në Gjermani më 2015 me një vizë për punëtorë të kualifikuar, së bashku me qindra mijëra sirianë që ishin larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës civile.

Ai vazhdoi të punonte si mjek në Gjermani deri kur u arrestua në qershor të vitit 2020.

Sipas prokurorëve, Mousa kishte punuar në spitalet ushtarake në Homs dhe Damask, ku kundërshtarët politikë që mbaheshin nga qeveria dërgoheshin për trajtim.

Por, në vend se të merrnin trajtim mjekësor, pacientët torturoheshin “dhe vriteshin”, thanë prokurorët.

Gjatë gjykimit, dëshmitarët, që përfshinin kolegë të të pandehurit dhe persona që kishin qenë të ndaluar, e identifikuan Mousan si person që kishte marrë pjesë në tortura.

Në nisje të gjykimit më 2022, Mousa i tha gjykatës se kishte qenë dëshmitar i rrahjeve, por mohoi se kishte rrahur pacientët.

Ai tha se kishte frikë të fliste për gjërat që kishte parë për shkak të policisë ushtarake, që sipas tij, kishte nën kontroll spitalin.

Në Gjermani, disa mbështetës të regjimit të Assadit janë gjykuar nën parimin ligjor të “drejtësisë universale”. Ky parim lejon që një shtet të zhvillojë procedurë gjyqësore për krime serioze dhe të ndjekë njerëz që i kanë kryer këto krime në shtete të tjera.

Gjykimi i parë në botë për krimet e kryera në Sirinë gjatë regjimit të Assadit kishte nisur më 2020 në Gjermani. I akuzuari, një ish-kolonel i ushtrisë, u gjet fajtor për krime kundër njerëzimit dhe më 2022 u dënua me burgim të përjetshëm.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull