Çdo 27 prill, Mira Krasniqi sheh tre djemtë e saj me lule në duar dhe nuk ka si t’i përgjigjet pyetjes së përsëritur: “Ku t’i vendosim?”
“Nuk kemi varr për të… U them t’i vendosin te axha i tyre. Vetëm aty kemi ku të ndalemi”, thotë 63-vjeçarja me zërin që i thyhet mes fjalësh.
Burri i saj, Lazër Krasniqi, është vetëm njëri prej qindra civilëve shqiptarë që u morën me dhunë nga forcat serbe, më 27 prill të vitit 1999, në fshatrat përreth Gjakovës.
Trupi i tij - atëkohë 39 vjeç - nuk u gjet kurrë.
Mira kujton gjithçka me një qartësi që i rëndon shpirtin: kolonat e grave dhe fëmijëve që dëboheshin në heshtje, burrat që ndaheshin prej tyre dhe nuk ktheheshin më, rrugët e mbushura me ushtarë serbë dhe urdhrat e tyre me armët ngritur: “Ikni, largohuni”.
“I pari që e zbritën prej traktorit, ishte Alberti - djali i kunatit. Pastaj, i morën të gjithë burrat tjerë... Neve nuk na lejuan as të kthenim kokën e t’i shihnim. Vazhduam me kolonën drejt Shqipërisë”, kujton Mira për Radion Evropa e Lirë.
Albert Krasniqi, atëkohë vetëm 17 vjeç, dhe babai i tij u gjetën më vonë në një nga varrezat masive në Batajnicë të Serbisë. Ndërsa për burrin e saj, Lazrin, asnjë lajm, asnjë send personal.
“Së paku të dinim se ku e ka varrin, bile të bëhej me shokë”, thotë Mira.
Fëmijët e saj thotë se u rritën me peshën e humbjes dhe të dhimbjes.
“I madhi i ka pasur 15 vjet e gjysmë [kur ka ndodhur krimi], i dyti 14, dhe i treti ka qenë pa i bërë 10 vjet. Kanë shpëtuar, por veç ne e dimë se si”, thotë Mira nën lot.
Sot, ajo ndjek nga afër gjykimin e parë që po zhvillohet në Kosovë për krimet në fshatrat e Gjakovës, që u kryen më 27-29 prill të vitit 1999.
Numri më i madh i viktimave u regjistrua në Mejë - 270 të vrarë dhe 13 ende të zhdukur - ndërsa në Korenicë, fshatin ku jeton Mira, u vranë 64 dhe të zhdukur mbeten dy - bashkëshorti i saj dhe një fqinj i tyre.
Nga familja e saj u vranë gjithsej nëntë anëtarë.
Në sallën e gjykatës në Prishtinë nuk janë të ulur 53 të akuzuarit për këtë krim.
Të padisponueshëm për drejtësinë kosovare, ata do të gjykohen në mungesë, ndërsa do të përfaqësohen nga avokatët.
Mira thotë se përpiqet të ndjekë çdo zhvillim, por me gjithnjë e më pak shpresë.
“U bënë mbi 26 vjet...”, thotë ajo.
“Ne, së paku, i kemi gjetur”
Një tjetër zë që kërkon drejtësi është ai i Lush Krasniqit nga Ramoci i Gjakovës.
Atë ditë të prillit, ai humbi dy vëllezër dhe axhën.
“Na rrethuan... Prej nesh që ishim mbi moshën 15-vjeçare, veçuan axhën tim, Pjetrin, vëllain Pashkun dhe vëllain Markun. Me vete kishin edhe një të zënë rob në pyll... i morën dhe shkuan në drejtim të shtëpive të tjera, ndërsa neve na urdhëruan të largoheshim me traktor”, rrëfen Lushi.
Trupat e familjarëve të tij u gjetën gjashtë vjet më vonë - edhe ata në një nga varrezat masive në Batajnicë - “së bashku me viktima të tjera nga Lubeniqi, Krusha e shumë fshatra të tjerë të Kosovës”.
“Batajnica kishte shtatë vendvarreza... vëllezërit e mi dhe axha ishin në të pestën”, tregon Lushi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe pse i ka varrosur të afërmit, ai thotë se dhimbja nuk pushon kurrë.
“Të paktën janë gjetur... ndryshe nga shumë familje që edhe sot nuk e dinë se ku i kanë të dashurit e tyre”, thotë Lushi.
Nëna e tij vdiq pa ditur asgjë për djemtë e saj.
Ai tregon me dhimbje se pak kohë para se të ndërronte jetë, për ta qetësuar, i kishte thënë se ata që kishin kryer krimin, ishin dënuar në Serbi.
“Nëna ime tha: ‘I pagoftë Zoti’ - në kuptimin që Zoti ua ktheftë”, kujton 61-vjeçari.
Familja e tij është munduar të ndjekë çdo hap të drejtësisë.
Rasti i tyre është trajtuar edhe në gjykatën në Hagë, ndërsa me këshillën e aktivistes serbe, Natasha Kandiq, ata kanë ngritur padi familjare edhe në Serbi.
“Shkuam 12 anëtarë të familjes në gjykatë [në Beograd]. Kur gjykatësja e pyeti nënën time se si ndihej, ajo e pyeti: ‘A ke fëmijë ti?’ Ajo tha ‘po’. ‘Ashtu si do të ndiheshe ti, ndihem edhe unë’, iu përgjigj nëna ime”.
Lushit i dhemb fakti që nga Serbia nuk është kthyer as edhe një kujtim i vetëm nga vëllezërit dhe xhaxhai i tij - qoftë një copë nga rrobat.
“Ngushëllimi ose ajo me të cilën ne si familjarë mund të jemi ‘të kënaqur’, është arritja e drejtësisë, ose dënimi i atyre njerëzve që kanë kryer krime”, thotë Lushi.
“Të akuzuarit gjenden në Serbi”
Për aktivisten serbe, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, krimi në Mejë dhe në fshatrat përreth “ishte më i madhi në Kosovë”, gjatë luftës së viteve 1998/’99.
Për përgjegjësit thotë se të gjithë janë në Serbi - “të gjithë të mbrojtur, sepse nuk ka vullnet politik për t’i ndëshkuar, sidomos ato krime në Mejë, Korenicë dhe fshatra të tjerë pranë kufirit me Shqipërinë”.
“Vetëm përfaqësuesit më të lartë të Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë janë mbajtur përgjegjës për atë krim, por ekziston një listë shumë e gjatë e atyre që i përkasin atij rangu oficerësh, me pozicione të rëndësishme... dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës”, thotë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.
Në dhimbje dhe pritje, Mira dhe Lushi nuk janë vetëm.
Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim.
“Unë kam besë në drejtësi”, përfundon Lushi.