Gjermania i ka tre vjet “për të riorganizuar ushtrinë”

2 min lexim
Politikë
Gjermania i ka tre vjet “për të riorganizuar ushtrinë”

Forcat e armatosura të Gjermanisë i kanë tre vjet për t’i blerë pajisjet e nevojshme, në mënyrë që të mund të luftojnë ndonjë sulm të mundshëm rus në territorin e NATO-s, ka thënë shefja e Zyrës për Prokurim Ushtarak, Annette Lehnigk-Emden.

Shpenzimet në mbrojtje janë ngjitur lart në agjendën politike, prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 2022, dhe pas shtytjes së Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve anëtare të NATO-s që të rrisin përkushtimin e tyre.

“Gjithçka që nevojitet për t’u përgatitur plotësisht për të mbrojtur shtetin duhet të blihet deri më 2028”, ka thënë Lehnigk-Emden për gazetën Tagesspiegel.

Shefi i mbrojtjes, gjenerali Carsten Breuer, ka paralajmëruar së fundmi se Rusia mund të jetë në pozicion për të nisur “sulm të shkallës së gjerë kundër territorit të NATO-s”, më 2029.

Ai ka thënë se ka grumbullim municionesh dhe tankesh për një sulm të mundshëm rus në vendet baltike, që janë anëtare të NATO-s.

Lehnigk-Emden ka thënë se Qeveria e re e kancelarit Friedrich Merz, është duke mundësuar avancimin në ushtri, duke ndarë qindra miliarda euro për mbrojtje.

Ajo ka thënë se prioritet do të kenë pajisjet e rënda, sikurse tanket kundërajrore, Skyranger.

Merz e ka kthyer riarmatosjen në prioritet të koalicionit të tij qeverisës, me qëllim të shndërrimit të ushtrisë gjermane në “ushtrinë konvencionale më të fuqishme në Evropë”.

Riarmatimi ka nisur edhe në qeverisjen e mëparshme të Olaf Scholzit, pasi Rusia e ka nisur luftën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje këtë vit që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtje nga dy në pesë për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP).

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë të enjten se 50.000 deri në 60.000 ushtarë të rinj do të nevojiten në vitet në vijim për t’i përmbushur nevojat e NATO-s për mbrojtje.

Vitin e kaluar, ushtria gjermane kishte mbi 180.000 ushtarë dhe e ka vënë synim për të rritur këtë shifër në 203.000 deri më 2031.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull