Zelensky thotë se po bën trysni për këmbimin e të burgosurve, por e akuzon Putinin për “lojëra të ndyra”

3 min lexim
Politikë
Zelensky thotë se po bën trysni për këmbimin e të burgosurve, por e akuzon Putinin për “lojëra të ndyra”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’i vazhdojë përpjekjet për këmbimin e të burgosurve me Moskën, megjithëse shprehu dyshime se do të ketë sukses.

“Ukraina vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur për ta siguruar lirimin e robërve tanë të luftës dhe kthimin e trupave të luftëtarëve tanë të rënë”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm me video.

“Fatkeqësisht, listat e plota nga Rusia për këmbimin e mbi 1.000 njerëzve, siç ishte rënë dakord në Stamboll, ende nuk janë dorëzuar. Si zakonisht, pala ruse po përpiqet sërish t’i shndërrojë edhe çështjet e tilla në lojë të ndyrë politike dhe informacioni”, shtoi ai.

Nëse Kremlini “nuk i përmbahet marrëveshjeve, madje as për çështje humanitare, kjo do t’i vërë në pikëpyetje të madhe të gjitha përpjekjet ndërkombëtare - veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara – për bisedime dhe diplomaci”.

Ndërkohë, Zelensky i tha rrjetit televiziv amerikan ABC se vetëm “trysnia e madhe” nga Uashingtoni dhe Evropa mund ta detyrojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të lëshojë pe.

“Pastaj, ata do ta ndalin luftën”, tha ai.

Të dielën, zyrtarët ukrainas hodhën poshtë akuzat e Rusisë se Kievi po e zvarriste këmbimin e të burgosurve të luftës dhe kthimin e trupave të ushtarëve të rënë.

Këshilltari i Kremlinit, Vladimir Medinsky, pretendoi se Ukraina kishte shtyrë papritur si shkëmbimin e të burgosurve, ashtu edhe pranimin e trupave të ushtarëve për kohë të pacaktuar.

Medinsky tha se Rusia tashmë i kishte dorëzuar Ukrainës një listë me 640 të burgosur - duke i dhënë përparësi të plagosurve, të sëmurëve rëndë dhe të rinjve - për ta nisur procesin e shkëmbimit.

Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e Robërve të Luftës deklaroi se pretendimet e Rusisë nuk përputhen me realitetin apo marrëveshjet e mëparshme.

Sipas zyrtarëve ukrainas, megjithëse të dyja palët ishin pajtuar në parim për kthimin e trupave të rreth 12.000 ushtarëve të vdekur pas bisedimeve për paqe në Stamboll, nuk ishte caktuar asnjë datë specifike për këmbimin.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzoi Moskën se po bën përpjekje për t’i “rishkruar” marrëveshjet e arritura në Stamboll dhe për krijimin e “pengesave artificiale dhe deklaratave të rreme” për të shtyrë procesin. Ministria paralajmëroi se nëse Rusia nuk i përmbush premtimet e veta, e vë në pikëpyetje besueshmërinë e ekipit negociator rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar të dyja palëve ta përfundojnë luftën, e cila nisi në shkurt 2022.

Kievi është pajtuar me thirrjen e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor. Moska ka kundërshtuar dhe ka thënë se së pari duhet të përmbushen disa kushte, të cilat janë të papranueshme për Ukrainën.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull