Bordi i Përbashkët i Mitrovicës mban takimin e parë

2 min lexim
Politikë

Bordi i Përbashkët i Mitrovicës ka mbajtur të enjten takimin e parë, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut dhe anëtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Takimi u kryesua nga ministri në detyrë i administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në cilësinë e përfaqësuesit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas Qeverisë në detyrë të Kosovës, ky bord ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin mes këtyre dy komunave.

Formimi i tij, sipas ekzekutivit, është bërë në përputhje me Ligjin për kufijtë administrativ të komunave.

“Përmes bashkërendimit në fusha kyç si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky Bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e besimit reciprok. Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën kryesimin e përfaqësuesit të kryeministrit, ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”, u tha në njoftim.

Edhe Kurti ishte i pranishëm në takim dhe tha se formalizimi i këtij bordi është “një detyrë e rëndësishme”.

“Ai falënderoi kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, për propozimet e tyre për anëtarë të këtij Bordi. Anëtarët, kryeministri Kurti i uroi për detyrën e re dhe u dëshiroi shumë suksese dhe punë të mbara e të mira, teksa u zotua për mbështetje të plotë përballë sfidave që mund të kenë”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

Mbledhja e këtij bordi u mbajt dy ditë pasi Kurti qëndroi në këto dy komuna, ku zhvilloi takime me dy kryetarët.

Ndryshe, krijimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ishte paraparë në Planin e Ahtisarit që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kjo komunë u zyrtarizua më 2013, pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.

Komuna e Mitrovicës së Jugut është e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa ajo e Veriut me shumicë serbe.

Informacion mbi burimin dhe përkthimin

Ky artikull është marrë nga një burim shqiptar dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim.

Burimi origjinal: www.evropaelire.org

Ndajeni këtë artikull