Ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë në futboll e kanë përfunduar pa gola ndeshjen e mbajtur të shtunën në stadiumin Arena Kombëtare në Tiranë, dhe kështu kanë siguruar nga një pikë secila.
Shqipëria e ka humbur shansin që të dalë në epërsi përmes një penaltie në të cilën ka dështuar të shënojë Rey Manaj.
Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë.
Autoritetet e sigurisë kanë qenë jashtëzakonisht të mobilizuara për këtë ndeshje për të garantuar mbarëvajtjen e saj, për shkak të tensioneve të mëdha mes dy ekipeve dhe incidenteve që kanë ndodhur në të kaluarën.
Shtetasit e dy vendeve janë të përfshirë në rivalitet të madh, që ka në themel tensionet historike dhe etnike, sidomos lidhur me konfliktin në Kosovë dhe historinë më të gjerë të Ballkanit. Serbia vazhdon të mos njohë shtetësinë e Kosovës, shtet me shumicë shqiptare.
Përgjatë ndeshjes nuk ka pasur ndonjë incident të madh, përveç disa rasteve kur tifozët kanë hedhur gjësende në fushë, por që nuk kanë ndikuar në vazhdimin e lojës.
Me pikët e fituara të shtunën, Shqipëria zë vendin e dytë në grupin K me katër pikë, ndërsa Serbia është e parafundit me një pikë.